top of page
Writer's pictureKristi

Kthim pas në kohë me Ilir Latifin

Updated: Aug 5, 2019

Gjatë këtyre ditëve, UFC Albania ka menduar t’ju rikthej në memorie momentet kyçe të karrierës së Ilir Latifit në UFC, duke filluar nga debutimi jo i zakontë ndaj Gegard Mousasi e deri në fitoren më të rëndësishme të karrierës së tij ndaj Ovince St. Preux.



UFC on Fuel TV 9 – 6 Prill 2013

Viti 2013 ishte një vit vendimtar për të ardhmen sportive të Ilir Latifit. Ishte viti ku ai do të kryente ndeshjen e tij të parë në UFC, kampionatin më elitar përsa i përket MMA në të gjithë botën. Debutimi i Latifit nuk do të ishte si gjithë të tjerët, madje do të ishte unik në llojin e tij pasi në njohurinë tonë askush më parë nuk ka guxuar të humbasi 12 KG në vetëm 3 ditë.

Por si u gjend Ilir Latifi në këtë situatë? Si arriti që një luftëtar lokal jo shumë i njohur të bëhej pjesë e ndeshjes kryesore të eventit ku do të debutonte edhe Conor McGregor, një nga yjet më të mëdhenj në sportin e MMA? Kësaj mund t’i përgjigjemi vetëm me një fjalë, ajo fjalë është GUXIM.

Gjithçka do të niste më 29 Prill 2013. UFC kishte zbarkuar në kryeqytetin Suedez dhe kishte filluar përgatitjet për ndeshjen mes Alexander Gustafsson dhe Gegard Mousasi. Ata ende nuk e dinin që gjysma kryesore e kësaj ndeshje do të ishte dikush që ata as që e kishin menduar ta përfshinin në event, do të ishte 29 vjeçari shqiptar që jetonte disa orë larg Stockholmit.

Përpara telefonatës që do i ndryshonte jetën, pas disa ndeshjesh rrjesht të anulluara dhe vështirësive për të gjetur kundërshtarë, Latifi ishte duke konsideruar seriozisht tërheqjen nga sporti i MMA.

Jemi ende në të premten e 29 Prillit. Ora shënon 9 ose 10 e mbrëmjes dhe Iliri ndodhej në qytetin e tij Malmo. Pas një darke familjare, ai kishte dalë të blinte akullore për mbesën e tij dhe në ato momente as që nuk mund ta imagjinonte se çfarë do të ndodhte në minutat në vazhdim. Nga Stockholm, Ilirit i komunikohet nga trajneri i tij që Gustafsson është dëmtuar dhe se nuk do mund të jetë pjesë e ndeshjes ndaj Mousasi. Duke njohur karakterin e Ilirit, trajneri i sygjeron atij që të vinte në Stockholm dhe të fillonte përgatitjet pasi UFC nuk do mund të gjente kurrë një zëvendësues për Alex në aq pak kohë, aq më tepër kur bëhej fjalë për një ndeshje kryesore ndaj një emri të madh si Gegard Mousasi.

Kaq do të mjafonte që Iliri të kthehej në shtëpi (sigurisht me akulloren për mbesën e tij) të bëhej gati dhe të nisej drejt Stockholmit me makinën e tij ‘’Smart’’ që si për ironi në ato momente dritat e saj vendosën të mos funksiononin, duke e bërë Latifin të udhëtonte në errësirë për më shumë se 6 orë. Të nesërmen, pavarsisht se ende pa një kontratë të firmosur ai fillon stërvitjen dhe bisedimet me organizuesit e ndeshjeve në UFC por do të ishte statusi i tij në Twitter ai që do merrte vemendjen e mediave të MMA, që filluan ta krahasonin historinë e tij me atë të Rockyt, një djalosh i panjohur për botën e MMA kundër një luftëtari elitar si Mousasi.

E mërkurë 3 Prill 2013, Ilir Latifi zyrtarisht firmos kontratën për tu përballur me Gegard Mousasi në ndeshjen kryesore të UFC on Fuel TV 9. Mirëpo shqetësimi kryesor i Ilirit në këto momente nuk ishte Mousasi por peshorja, në vetëm tre ditë atij përveçse të stërvitej do i duhej të humbte plotë 12 KG.

E shtunë 6 Prill 2013. Dita e ndeshjes.

Iliri kishte fituar betejën e tij të parë, atë me peshoren duke heshtur kështu dyshuesit e tij të shumtë. Tashmë ishte momenti që ai të luftonte betejën e tij të dytë, atë oktagon ndaj Gegard Mousasi.

Humbja e frikshme e kileve dhe mungesa e kohës për t’u stërvitur nuk e bënin këtë një debutim ëndrrash apo një ndeshje të drejtë por e tillë është dhe jeta edhe ky ishte një bast që Iliri tashmë e dinte dhe e kishte pranuar.

I lodhur por kurrë i dorëzuar, Latifi arrin ta çoj ndeshjen në dorën e gjyqtarëve duke luftuar për 3 raunde të plota ndaj Gegard Mousasi. Pavarsisht humbjes me vendim unanim, veprimet e Ilirit nuk kaluan pa u vënë re nga UFC, duke parë sakrificat e tij për të qenë pjesë e kësaj ndeshje ata vendosën t’i jepnin atij edhe një shans duke e bërë pjesë e kampionatit më elitar në botë përsa i përket MMA.

Prandaj gjithmonë duhet të provoni mundësitë tuaja në jetë, çfarëdo qofshin ato pasi nëse nuk dilni nga zona juaj e rehatisë, atëherë nuk do ta zbuloni kurrë se sa me të vërtetë ju vleni.

79 views0 comments

Recent Posts

See All

Comments


bottom of page